“INTERVISTË ME VETVETEN”, PETRO MARKO

Librat autobiografikë bëhen dëshmi e një epoke historike të caktuar për gjurmët që ka lënë jo vetëm autori i saj, por edhe bashkudhëtarët që përmenden në të. Aq më tepër kur shkruhen nga njerëz të mëdhenj dhe hedhin dritë në ngjarje vendimtare në jetën kulturore dhe politike të një vendi. Ngjarjet, nëse nuk dokumentohen, i mbulon harresa. Edhe nëse nuk i mbulon plotësisht, e bën pjesërisht, duke sjellë pashmangshëm edhe shtrembërimin e tyre.

Një autobiografi e mirë vjen kur ngjarjet rrëfehen jo vetëm me sinqeritet, por edhe me një stil mjeshtëror të shkruari.

Libri “Intervistë me vetveten” i Petro Markos na e përcjell këtë gjë. Në të rrëfehen ngjarje të shumta të jetës politike, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë dhe jo vetëm.

Rrëfimet shtrihen në tri kohë të ndryshme të Shqipërisë: në kohën pas Shpalljes së Pavarësisë,kohën e Luftës së Dytë Botërore, si dhe në kohën e diktaturës komuniste 45-vjeçare. Këtu do të na shfaqet një pjesë e mirë e personazheve të politikës dhe kulturës së Shqipërisë dhe më gjerë. Sigurisht që edhe njerëzit e thjeshtë e të panjohur, por që kanë pasur takime dhe ndikim në jetën e autorit, nuk mbeten në hije.

Autobiografia është e ndarë në dy pjesë: pjesa e parë përfshin kujtimet e Markos nga fëmijëria e deri në vitin 1944, ndërsa pjesa e dytë përfshin kujtimet nga viti 1944 e deri në kohën kur autori vijonte ende ta shkruante autobiografinë, edhe pse i rënduar nga shëndeti i keq, që nuk lejoi ta përfundonte të gjithë rrëfimin e kalvarit të jetës.

Libri nisi të shkruhej në vitin 1977, në kohën kur Markoja ishte dënuar me heshtje të plotë si shkrimtar nga regjimi komunist, e kur i biri, Jamarbër Markoja, gjithashtu poet, vuante dënimin politik në burg. Kujtimet vijojnë deri në vitin 1944, vitin e vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Aty autori vendos ta mbyllë pjesën e parë.

Rrëfimi nis nga fëmijëria e vijon me kohën e shkollimit në Shkollën tregtare në Vlorë, ku u njoh me shumë figura që më tej do të linin gjurmë në historinë e Shqipërisë: Shevqet Musaraj, Mehmet Shehun, Ernest Koliqin, Jusuf Pukën, Kolë Kamsin, etj. Shumë do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tij, ndërsa të tjerë do të shfaqen në çaste të natyrës “jetë a vdekje”, si shkrimtari Ernest Koliqi, falë të cilit Markoja partizan shpëtoi nga kthetrat e Gestapos, apo edhe ish-kryeministri i kohës së diktaturës, Mehmet Shehu.

Më tej na shfaqen Tirana e viteve ’30: jeta akademike, politike, përditshmëria dhe jetesa e vështirë; jetesa në fshatrat e Jugut; lufta në Spanjë, ku shkoi si luftëtar vullnetar për të mbështetur antifashistët e Frontit Popullor; jetesa në Francë dhe lufta në Itali krah partizanëve Italianë.

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe humbjen e naziztëve gjermanë dhe fashistëve italianë në vitin 1944, kthehet në Shqipëri.

Këtu merr fund edhe pjesa e parë e kujtimeve të tij. Arsyet e ndërprerjes së kujtimeve shkrimtari i shpjegon me frikën nga pasojat që do të vinin, nëse do t’ia gjenin dorëshkrimet. Kjo, ngase Markoja nuk bënte kompromis me të vërtetën si në art, edhe në jetë.

Pjesa e dytë

Pjesa e dytë fillon nga viti 1944, vit kur autori kthehet idealist në Shqipërinë e lirë e mbyllet me largimin e vetë autorit nga kjo botë. Në të përmblidhen shkurtimisht (shkurtimisht, sepse, sikurse thuhet edhe në parathënien e librit, për vetë natyrën dhe dinamikat e ngjarjeve të rrëfyera, si dhe viteve të ngjeshura me aq shumë ndodhi historike, përplasje dhe përjetime, mund të flitej shumë më shumë) vitet e gjata të ferrit të diktaturës komuniste. Përmenden me keqardhje mendimet e tij për ato që ngjanë gjatë viteve 44-90, përplasjet e ideve, më pas të klaneve dhe furtunave të politikave të partisë shtet, dhe zhgënjimet e autorit për të gjitha këto.

Në libër mësojmë më tepër për situata, ngjarje të ndryshme dhe personazhe historike. Na zbardhen të pathëna dhe fakte të paditura më herët për ngjarje të shumta që rrodhën në vendin tonë, e që sollën si pasojë të tjera ndodhi.

Duke e lexuar autobiografinë e Petro Markos, mësojmë se librat e tij, përtej ambicies letrare, janë shkruar si nevojë për komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin, për t’i përcjellë botës shqiptare e më gjerë një mesazh njerëzor, një komunikim; për t’i përcjellë peizazhet njerëzore që ai pa gjatë gjithë jetës. Po ashtu, do të vërehet se thuajse gjithçka nga krijimtaria e tij letrare: ngjarjet, personazhet dhe koha ku janë ato vendosur, janë më se të vërteta. Sikurse e thotë edhe vetë autori, jeta jetohet paralel me historinë dhe njerëzit, jo e shkëputur prej saj.

Nga libri “Intervistë me vetveten” do të lexojmë se përmbi gjithçka: mbi humbjet, dështimet dhe zhgënjimet më të mëdha që mund të pësojë njeriu gjatë jetës, sërish ka vend për t’u ringritur, për t’i përmirësuar gjërat dhe për ta jetuar jetën sërish. Dhe kuptojmë se Petro Markoja e bëri. Ai e dashuroi jetën dhe njeriun.