Promovimi i librave ne Kosovë: Kontabiliteti Financiar, Biznesi Ndërkombëtar, Financat Personale dhe Sipërmarrja

Ekipi menaxhues i projektit CleanScore bashkë me profesorin Ilia Kristo, gjatë muajit Dhjetor vizituan disa universitete shqipfolëse në Kosovë, për të promovuar 4 librat akademikë ndërkombëtare të përkthyer: Kontabiliteti Financiar, Biznesi Ndërkombëtar, Financat Personale dhe Sipërmarrja. Ekipi zhvilloi takime me drejtues të Universitetit të Prizrenit, Universitetit të Pejës, Kolegji AAB, Kolegji Universum si dhe Universiteti i Prishtinës. Gjatë këtyre takimeve përfaqësuesit e universiteteve u prezantuan me veprimtarinë e AADF-së si dhe të projektit CleanScore, duke u përqendruar në komponentin e librave. Secilit universitet ju dhurua një kopje e librit “Biznesi Ndërkombëtar”, që ishte dhe fokusi i këtyre takimeve. Ata u njohën me të gjithë procesin rigoroz për përkthimin, redaktimin dhe botimin e librit. Në të gjitha takimet e zhvilluara, u shfaq si problem i përbashkët mungesa apo cilësia jo e duhur e teksteve akademike nëpër universitete. Bisedimet treguan qartazi që situata e librit akademik në universitetet e Kosovës ishte mjaft e ngjashme me atë në Shqipëri. Të gjitha universitetet shprehën konsiderata për librat e përkthyer dhe ranë dakord që ta propozojnë për miratim përdorimin e tyre në instancat përkatëse të institucioneve në mënyrë që të përdoret si teksti bazë i lëndëve përkatëse, në varësi të programit të secilit universitet.